Presidenti Thaçi dekoroi reporterët e luftës, Nuhi Bytyçin dhe Abaz Zekën
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka dekoruar reporterët e luftës, Nuhi Bytyçin dhe Abaz Zekën, me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se kontributi i popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi është shumë i madh.
“Kontributi i njerëzve aktivistë politikë, luftëtarë të lirisë, i të gjithë atyre njerëzve që ranë në istikamet e luftës ishte shumë i madh, por një kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik kanë dhënë edhe njerëzit që me të vërtetë kanë prezantuar atë që ndodhte në Kosovë, rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke marrë pjesë drejtpërdrejtë në istikame të luftës dhe të njëjtën kohë, duke bërë xhirime të rrezikshme për të prezantuar pamjet, realitetin dhe të vërtetën e Kosovës, kudo ku jetonin shqiptarët, por edhe në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Në mesin e këtyre njerëzve, prej më të çmuarve, presidenti Thaçi ka thënë se janë edhe Nuhi Bytyçi dhe Abaz Zeka.
/Epoka e re/