Presidenti Thaçi: Duhet të denoncohen politikat gjenocidale të Serbisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një trillim”.
Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” ka shkruar se “paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”.
“Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka shkruar Thaçi.
Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se sa i përket Reçakut në vitin 1999 “bëhet fjalë për krim të trilluar, dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Wolker”.
“Këtë do ta përseris çdo ditë dhe të shohim se kush do të na gjykojë”, tha Vuçiq.
/Epoka e re/