Presidenti Thaçi fton kompanitë franceze që të investojnë në Kosovë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë “MEDEF International” në Paris.
Presidenti Thaçi ka thënë se si shtet i ri, me popullatën më të re në Evropë, Kosova është e etur për dije, punë, zhvillim dhe prosperitet, duke paraqitur një potencial të madh për investime.
Ai ka thënë se në Kosovë janë bërë reforma në të gjithë sektorët e jetës dhe konfirmimi më i mirë i këtyre të arriturave është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe marrja e statusit të vendit kandidat për fondet e MCC-së të Kongresit Amerikan.
“Të dyja këto janë dëshmi e suksesit tonë në reforma të gjithanshme dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Jemi vend me rritje konstante ekonomike, mesatarisht 4 për qind në vit, që prej kur jemi shtet. Kemi stabilitet të borxhit publik dhe sistem bankar të suksesshëm dhe të qëndrueshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka folur edhe për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe më gjerë, me kontinentin dhe me portet më të mëdha, duke shtuar tutje se është rritur vazhdimisht edhe prodhimi vendor dhe cilësia e prodhimeve.
“Kemi vazhduar të hapim shkolla e universitete që të përgatisim fuqi punëtore, që të jetë konkurrente në Evropë. Sot shohim kompani evropiane e botërore që kanë ardhur në Kosovë dhe po i shfrytëzojnë këto kapacitete e këto potenciale të Kosovës”, është shprehur Thaçi.
Presidenti ka thënë se mbi të gjitha, sot Kosova është një vend që ka mbyllur kapitullin e luftës dhe është një shtet i fokusuar në zhvillim, bashkëpunim dhe integrim.
“E kemi thënë qartë që veten e shohim në NATO dhe në Bashkim Evropian. E kemi mirëpritur konfirmimin nga NATO-ja dhe BE-ja që Kosova, si dhe i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor, e kanë vendin në këto dy organizata”, ka deklaruar Thaçi.
I pari i shtetit ka theksuar se Kosova nuk është më ajo e para 20 vjetëve, por është një vend që me sukses ka tejkaluar shkatërrimet e luftës dhe është kthyer kah paqja dhe zhvillimi.
“Në këtë sukses tonin jemi falënderues për përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare kanë qenë bashkë me ne në ndërtimin e sistemit tonë juridik, që garanton drejtësi për të gjithë”, ka thënë presidenti.
Thaçi është shprehur mirënjohës për shtetin francez, që ka përkrahur Kosovën në ndërtimin e paqes, në ndërtimin e shtetit dhe tash në ndërtimin e një të ardhme evropiane.
“Jemi mirënjohës që kompanitë nga Franca kanë qenë ndër investitorët e parë në Kosovë. Por, dëshirojmë që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më shumë, sidomos në ekonomi”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka ftuar kompanitë e Francës që t’i shikojnë mundësitë për të bashkëpunuar sa më shumë në fushën e ekonomisë, me interes të ndërsjellë të dy shteteve, por edhe të tërë kontinentit tonë.