Presidenti Thaçi: Ka përfunduar koha e hamendjeve
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dy ngjarje nga viti 2017, njëra në fillim dhe tjetra në fund, janë pasqyrë e gamës së gjerë të ngjarjeve që e kanë karakterizuar Kosovën në vitin që po e lëmë pas.
“Në janar u përballëm me një provokim irritues dhe irracional me nisjen e trenit me parulla nacionaliste nga Beogradi në drejtim të Kosovës, i cili nuk e arriti cakun, por gjithsesi shërbeu si një rikujtim i brishtësisë së paqes dhe stabilitetit. Ndërsa, krejt në fund të vitit, në pjesën e dytë të dhjetorit 2017, erdhi lajmi i mrekullueshëm i nënshkrimit të marrëveshjes për një nga investimet e huaja direkte më të mëdha në Kosovë dhe rajon. Kompania amerikane ‘Countour Global’ do të investojë me një shumë prej 1.3 miliard euro në projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’, dhe do të hapë 10.000 vende të reja të punës”, ka shkruar Thaçi në një shkrim autorial.
Ai ka thënë se viti 2017 do të mbahet mend më shumë për atë se jemi marrë shumë me vetveten, por jo në mënyrë konstruktive. “Nuk e përjashtoj se kjo mund të jetë e influencuar edhe nga faktorë të jashtëm, por, rezultati dhe përgjegjësia na mbesin ne”, ka shkuar Thaçi.
Thaçi në këtë shkrim autorial ka shkruar edhe për zgjedhjet parlamentare dhe lokale që janë mbajtur në vitin 2017.
Më tutje, ai ka shkruar edhe për sfidat që e presin Kosovën në vitin 2018. “Nuk do të ketë festim më të denjë të dekadës së parë të shtetësisë se dhënia fund e paqartësive të brendshme, përmbushja e obligimeve ndërkombëtare dhe rrjedhimisht përfundimi i izolimit, duke përfituar nga liberalizimi i vizave. Duhet ta përfundojmë punën e mbetur për përfundimin e procesit të reformës zgjedhore, avancimin në punën e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe përfundimin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellë dhe përfundimit të pengesave bilaterale në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka shkuar Thaçi në shkrimin e vet autorial.
Duke folur për integrimin evropian të Kosovës, Thaçi ka shkruar se ka përfunduar koha e hamendjeve. “Shpesh ndjehemi të zhgënjyer që procesi i integrimit evropian nuk është më i shpejtë. Vonesat po krijojnë hapësirë për aktorët tjerë të cilët përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore. Në këtë situatë, ne nuk kemi ndonjë dilemë apo alternativë. Ka përfunduar koha e hamendjeve. Gjithçka është e qartë se si do të arrihet ky qëllim. Porositë për këtë temë nga Brukseli dhe kryeqytetet e të gjithë aleatëve të shtetit tonë janë të qarta dhe ne duhet t’i ndërmarrim hapat tanë. Prandaj, uroj që të gjithë së bashku të gjejmë energjinë që të përballemi me të gjitha këto tema të rëndësishme”, ka shkruar Thaçi.