Presidenti Thaçi kërkon të formohet Qeveria e re (Video)
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Kuvendi që ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, e cila pritet të drejtohet nga Avdullah Hoti.
Thaçi në një konferencë për medie, pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e tij për mandatarin për formimin e qeverisë, ka ftuar të gjitha partitë politike që ta respektojnë këtë aktgjykim.
Ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin që të funksionojë pa institucione stabile. Në këtë kontekst, ai ka kërkuar që institucionet e reja të angazhohen maksimalisht në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, pas pandemisë Covid-19.
“Kosova nuk e ka luksin që të ketë vakum në qeverisje”, është shprehur Thaçi.
Kujtojmë se LDK-ja ka kërkuar që seanca për votimin e qeverisë Hoti të mbahet të mërkurën.