Presidenti Thaçi kërkon të ruhet uniteti politik i treguar për ushtrinë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar për ushtrinë çdo ushtarë FSK-së dhe çdo qytetarë të Kosovës.
Ai në ceremoninë qendrore e cila është organizuar pas transformimit të FSK-së në ushtri, ka shprehur nderimet më të thella për çdo dëshmor që ka dhënë jetën për këtë ditë.
Thaçi ka thënë se gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të ndryshme dhe ka kryer detyra të ndryshme.
“Por, ndër ato që më jep më së shumti nder e kënaqësi është të jem komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se sot shikon drejtë çdo ushtar të FSK-së, pa dallim përkatësie etnike e pa dallim gjinie.
“I shikoj, si çdo qytetar i Kosovës, me respekt, me nderim e me krenari. Dhe ju kërkoj që t’i shërbejnë me nder e me përgjegjësi Kosovës sonë, që me aq mund e kemi ndërtuar. Urime ushtarë detyrat e reja. Gëzuar ushtria, Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se vetëm të bashkuar do të jenë më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të guximshme për Kosovën. Ai ka kërkuar që të ruhet uniteti politik i treguar në rastin e ushtrisë së Kosovës.
“Sot i falënderojmë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Ata i sigurojmë se Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike, që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje a etnie. Dhe do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajonin tonë e më gjerë. Partnerëve tanë ndërkombëtarë u themi se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë është duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të paqes dhe sigurisë”, ka thënë Thaçi.