Presidenti Thaçi: Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar me rastin e shkuarjes në Hagë të ish dy komandantëve të UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa.
Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe në drejtësi.
“Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së”, ka shkruar Thaçi.
Postimi i plotë i tij:
Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve.
Por, e them me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.
Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi.
Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.
Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës.
Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues. Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara.
Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet.
Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës. HTH