Presidenti Thaçi: Kosova është e gatshme për vendime të mëdha
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka qëndruar të mërkurën në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Pas këtij takimi, Thaçi ka thënë se Kosova është e angazhuar për një Ballkan Perëndimor funksional.
“Por, është e gatshme edhe për vendime të mëdha që e forcojnë edhe më shumë paqen në tërë rajonin tonë. Edhe sot në Bruksel, në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, e rikonfirmova gatishmërinë tonë për dialog dhe marrëveshje paqësore me Serbinë, sepse pa një marrëveshje përfundimtare do të shndërrohemi në vende që prodhojnë drama të panevojshme për konsum të brendshëm elektoral”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se “Ne të gjithë duhet të mendojmë më shumë për gjeneratat e ardhshme, jo për zgjedhjet e ardhshme dhe së bashku duhet ta fitojmë betejën për të ardhmen tonë, për paqen, duke përmbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktin shekullor mes popujve tanë. I falënderoj liderët e rajonit që i dhanë mbështetje mundësisë së arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”.
/Epoka e re/