Presidenti Thaçi: Lufta ndaj korrupsionit të jetë prioritet mbi prioritetet
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në Konferencën mbi Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit të Nivelit të Lartë, e cila u organizua nga misioni i OSBE-së në Kosovë.
Presidenti Thaçi ka thënë se korrupsioni është një kërcënim serioz, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet më të zhvilluara dhe përbën një sfidë për demokracinë.
“Fenomeni i korrupsionit është një sfidë në shkallë globale. Përveç pasojave që shkakton në zhvillimet politike dhe socio-ekonomike, dukuria e korrupsionit shkakton pasoja edhe në rrafshin e sigurisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i vendit ka thënë se si shtet i ri duhet të jemi të pakompromis në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.
“Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, e prirë për të luftuar dukuritë negative, në këtë rrafsh edhe korrupsionin e të gjitha niveleve, e ushqejnë rritjen ekonomike dhe rregullojnë mirëqenien e qytetarëve”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Republika e Kosovës, sipas kreut të shtetit, ka marrë një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues, si dhe ka miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë, duke krijuar mekanizma institucional dhe ndërinstitucional për këtë qëllim.
I pari i vendit ka shtuar se Republika e Kosovës përgjatë shtetndërtimit ka pasur edhe sfida, të cilat disa prej tyre janë tejkaluar dhe të tjerat janë adresuar.
“Të fundit e kemi Raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që ka identifikuar shumë përparime në sektorin drejtësisë, por edhe shumë sfida që kemi përpara”, ka thënë ai.
Presidenti ka theksuar se gjatë vitit 2018 dhe fillimit të vitit 2019, Republika e Kosovës ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e legjislacionit që ndërlidhet me fushën kundër korrupsion, duke nxjerr ligje të reja apo ndryshuar dhe plotësuar ato aktuale.
“Kodi Penal i Kosovës, që pritet të hyjë në fuqi në prill të këtij viti, Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Ligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike… ky legjislacion mundëson që në mënyrë sa me efikase të sinjalizohen, parandalohen, hetohen dhe gjykohen veprat penale të natyrës korruptive”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se ky legjislacion ofron mbrojtje për të gjithë ata që lajmërojnë apo raportojnë shkelje në sektorin publik dhe privat.
Ai ka shtuar më tej se Republika e Kosovës gradualisht e ka rritë numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pajtim me nevojat, si dhe i ka ngritë kapacitet e institucioneve tjera të zbatimit të ligjit dhe e ka rritë buxhetin për institucionet e sundimit të ligjit, që kanë qenë sfida në të kaluarën.
“Përkundër rezultateve, ne duhet edhe më tej ta vazhdojmë luftën e pakompromis ndaj korrupsionit, duhet t’i tejkalojmë ngecjet e identifikuara, duke vepruar dhe zbatuar ligjet me një rigorozitet dhe një përkushtim edhe më të madh”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se tash gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës kanë kushte të mira të punës dhe të ardhura të dinjitetshme.
“Ju mbetet të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm, të respektojnë betimin e dhënë kur e kanë marrë detyrën”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Kreut i shtetit u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të institucioneve të zbatimit të ligjit, në veçanti gjyqtarëve dhe prokurorëve, që luftën ndaj korrupsionit ta kenë prioritet mbi prioritetet.
/Epoka e re/