Presidenti Thaçi: Marrëveshja me Serbinë sjell stabilitet në Ballkan
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur sërish sot se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai gjatë një konference për medie ka thënë se marrëveshja në mes palëve mund të arrihet vetëm nëse bëhet kompromis, e kjo mund të arrihet vetëm përmes korrigjimit të kufirit.
Thaçi ka thënë se vetëm marrëveshja paqësore për ndryshim të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, i siguron Kosovës njohjen formale nga Serbia, bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin e Kosovës si dhe i hap rrugë të sigurt Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Dhe nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket stabilitetit të kësaj ane të Evropës. Po e përsëris edhe njëherë, korrigjim i kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura të cilat do të njihnin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra, kurdo që do të ndodhë marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, kjo marrëveshje nënkupton edhe njohje të reja.
Thaçi ka shtuar se në rast se arrihet një marrëveshje paqësore, e njëjta do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare çka sipas tij kontribuon edhe në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Stabiliteti i Kosovës është ngushtë i lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Duhet të jemi te vetëdijshëm që këto qëllime nuk mund t’i arrijmë pa perspektivën e fqinjësisë së mirë. BE-ja është duke u modernizuar dhe reformuar, dyert janë të hapura për zgjerim, mirëpo paraprakisht shtetet duhet të zgjidhin problemet e tyre të hapura. Si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në BE mbetet ndërtimi i fqinjësisë së mirë”, ka thënë presidenti Thaçi.
/Epoka e re/