Presidenti Thaçi: Mosliberalizimi i vizave, padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës
Presidenti Hashim Thaçi gjatë një konference për media që pati sot ka kritikuar Bashkimin Evropian (BE) për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Thaçi ka theksuar se është duke ndodhur një padrejtësi nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës në këtë proces, raporton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë zbatuar të gjitha kriteret që të ndodh liberalizimi i vizave.
Presidenti Thaçi ka përsëritur se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në BE.
“Po ndodh një padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës kur dihet se institucionet kanë zbatuar në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave”, është shprehur Thaçi.
Presidenti në këtë konferencë për media ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ku sipas tij, tani është momenti që njohja reciproke të hidhet në tavolinë.
(M.Q / Epoka e re)