Presidenti Thaçi ndau urdhrin ‘Hero i Kosovës’ për komandantin Shaban Polluzha
Nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të premten është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar heroit të kombit, Shaban Polluza, në 75-vjetorin e rënies se tij.
Në këtë akademi, presidenti Thaçi, e ka vlerësuar lartë kontributin e heroit Shaban Polluzha për lirinë e Kosovës.
Ai ka thënë se rreshtimi në vlerat demokratike dhe civilizuese, si dhe radhitja në bllokun antifashist ishte shpresë në vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vullnet ky i shprehur në Konferencën e Bujanit.
“Shaban Polluzha zë vendin më të rëndësishëm të kombit. Ai shënohet si hero në kujtesën e secilit. Mbrojti interesat e kombit. Gjysmë shekull me vonë bijtë dhe bijat krijuan ushtrinë e Kosovës. Vizionin tonë për liri e kuptoi bota demokratike dhe NATO. Pa luftën e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij nuk do të ndodhnin as rezistencat, si lëvizja për liri, demonstrata e viti 1968 dhe nuk do të ndodhte fare liria dhe hapja e bashkimit kombëtar. Sot do të ndajmë çmimin hero komandantit Shaban Polluzha”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa historiani Maren Lengverli, ka folur për aktivitetin politik dhe ushtarak të Polluzhës si dhe për vrasjen e tij.
Ai ka thënë se Shaban Polluzha, kishte ditur t’i orientojë drejt aspiratat e kombit, duke u sakrifikuar për këto aspirata.
“Kjo është rruga e burrave të mëdhenj. Pak para se ta likuidonin Shabanin kur e pyeten se fituan ai dhe shokët e tij, u përgjigj: ‘Bëmë detyrën’. Në prag të Luftës së Dytë shqiptarët ishin keqtrajtuar dhe ishin përgjysmuar dhe për tri dekada nuk patën shansin të rikuperonin asgjë. Klima e acartë e kishte zbrazur Kosovën dhe u kishte hequr pronësinë për 200 mijë hektarë. Në këtë qëndresë kishte spikatur Drenica, dhe ishte aktivizuar Shaban Polluzha. Shqiptarët humbën jo vetëm numerikisht, por edhe besimin për një jetesë normale”, ka thënë ai.
Shaban Polluzha kishte rënë heroikisht në Tërstenik të Drenicës, 75 vjet më parë. Në këtë akademi përkujtimore kanë marrë pjesë familja Polluzha, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.