Presidenti Thaçi nderon martirët e Korishës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar 77 martirët e Korishës, të cilët 20 vite më parë janë vrarë nga forcat serbe.
Në profilin e tij në “Facebook”, Thaçi ka shkruar se Kosova asnjëherë nuk do të resht së kërkuari drejtësi për çdo viktimë dhe çdo krim të kryer nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.
“Në Korishë të Prizrenit, para 20 vjetësh, shteti i Serbisë tregoi mizori të shumëfishtë, duke i zënë rob dhe duke i përdorur dhunshëm qindra civilë shqiptarë si mburojë ndaj bombardimeve të NATO-s. Fatkeqësisht, 77 prej tyre u vranë në këtë kurth mizor. Këta martirë të Korishës dhe fshatrave përreth, sot i kujtuam me respektin më të lartë institucional. Kosova asnjëherë nuk do të resht së kërkuari drejtësi për çdo viktimë dhe çdo krim të kryer nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë”, ka shkruar Thaçi.
/Epoka e re/