Presidenti Thaçi në Holandë: Kosova është një rrëfim suksesi
Me ftesë të Institutit holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, para shumë përfaqësuesve shtetëror, diplomatëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ka mbajtur një ligjëratë me temën “Vizioni, sfidat dhe mundësitë për Kosovën”.
Ai ka thënë se paqja dhe drejtësia janë dy çështje themelore për çdo shoqëri, veçanërisht për ato në tranzicion.
Ai ka shtuar tutje se Haga është një vend ku pavarësia e Kosovës u konfirmua e ligjshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Pas këtij Opinioni Këshillëdhënës më 2010, filloi dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu prodhoi një marrëveshje historike në Bruksel, saktësisht pesë vjet më parë. Kjo ndodhi pas më shumë se njëqind vjet konflikti”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi në Hagë ka theksuar se është natyrisht edhe vendi ku një pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë tani është e vendosur, duke dëshmuar gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare gjithmonë. “Ne jemi krenarë me luftën tonë për liri dhe nuk kemi asgjë për të fshehur apo për t’u frikësuar nga e vërteta. Askush asnjëherë nuk u përpoq të ikte apo të fshihej nga drejtësia, krahasuar me shtetet e tjera në rajon”, ka shtuar ai.
Duke folur për shtetndërtimin në Kosovë, presidenti Thaçi ka thënë se vetëm dhjetë vjet më parë, Kosova shpalli Republikën më të re në Evropë dhe tani mund t’i shikojmë me krenari arritjet gjatë dekadës që shkoj.
Duke pasur parasysh pozicionin tonë fillestar, sipas tij, ka qenë një sfidë e madhe dhe natyrisht se gjatë këtij udhëtimi kemi pasur sfida dhe suksese.
Para shumë të pranishmeve, presidenti Thaçi ka thënë se rritja e parashikuar për vitin 2018 është gati 5 për qind, siç parashihet edhe për vitin 2019, derisa Kosova ka nënshkruar investime të reja prej mbi 1 miliard euro vitin e kaluar, veçanërisht ne sektorin e energjisë.
Sipas tij, Kosova është një rrëfim suksesi, por Kosova ka ende sfida të shumta, ashtu siç kanë edhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Thaçi ka numëruar tri sfidat më të rëndësishme, ku së pari është përmbyllja e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se Kosova është e hapur për të gjetur zgjidhje. “Si Kosova ashtu edhe Serbia duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të dy shtetet e dimë se duhet ta njohim njëri-tjetrin. BE-ja nuk do të na pranojë me probleme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. E di se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të dyja palët, dhe mbi të gjitha për Kosovën. Por jam i bindur se dialogu dhe marrëveshja janë e vetmja rrugë përpara”, ka shtuar ai.
Sfida e dytë sipas tij për Kosovën është ekonomike. Ai ka thënë se Kosova po vazhdon të shënojë rritje, por ka nevojë për të krijuar më shumë vende pune. “Ne duhet të përqendrohemi në ekonominë e re dhe në mundësitë e reja. Nuk është e lehtë dhe ne ende duhet të bëjmë më shumë reforma strukturore”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se sfida e tretë ka të bëjë me integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, ku sipas tij, Kosova po punon në përmbushjen e kritereve demokratike në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Presidenti Thaçi, pas ligjëratës ka bashkëbiseduar me përfaqësues të shtetit holandez, diplomatë, ambasadorë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ai po ashtu ka marrë pjesë në prezantimin e librit biografik “New State, Modern Statesman”, me autorë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Prezantimi i librit është bërë në Institutin holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”.