Presidenti Thaçi në Sofje: Shpejtësia e anëtarësimit në BE, varët nga puna jonë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot në Sofje një takim bilateral me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, i cili ka ftuar sot në një takim pune të përbashkët liderët e Ballkanit Perëndimorë dhe krerët e Bashkimit Evropian.
Në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve dhe forcimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Presidenti Thaçi ka falënderuar kryeministrin Borissov për angazhimin e tij personal për përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimorë dhe perspektivës së tyre për anëtarësim në BE.
Dy liderët u pajtuan që Strategjia e re e BE-së për zgjerim për shtetet e Ballkanit Perëndimorë është mundësi reale, e cila duhet të shfrytëzohet nga të gjitha shtetet aspiruese.
“Jemi të vetëdijshëm që shpejtësia e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit perëndimorë do të varet nga aftësia dhe kualiteti i përmbushjes së reformave nga shtetet aspirante, por mbi të gjitha nga aftësia e tejkalimit të problemeve ndërshtetërorë”, ka theksuar presidenti Thaçi pas takimit.
Nga ana tjetër, kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov ka thënë se ai do të vazhdojë të mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, sepse anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimorë në BE, sjell stabilitet, bashkëpunim dhe mirëqenie për të gjithë.
Në fund, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjore detyruese me Serbinë, e cila nënkupton normalizimin e plote të marrëdhënieve ndërshtetërore.