Presidenti Thaçi nis shënimin e ‘Epopesë së UÇK-së’ me dekorimin e 56 ushtareve të UÇK-së
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në shënimin e ditës së parë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dekoruar 56 ish-ushtare të UÇK-së, të cilat ishte pjesë e luftës nga ditët e para deri në përfundim të saj.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot kujtojmë luftën heroike dhe madhështore të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, të gjithë bashkëluftëtarëve, të gjithë atyre heroinave dhe heronjve që ranë në istikamet e luftës.
“Si president i vendit vlerësoj lart kontributin e gjithë luftëtarëve, por edhe madhështinë dhe fuqinë e rezistencës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se mrekullinë e fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka shtuar, e ka rritur dhe e ka hijeshuar me sakrificën e vet, me guximin e vet edhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i shtetit ka theksuar se kjo ishte një pjesëmarrje vullnetare, si obligim kombëtar, për t’i rezistuar ushtrisë dhe policisë serbe.
“Ne fituam, prandaj sot 22 vite pas luftës heroike të komandantit legjendar dhe 12 vite të pavarësisë, kam vendosur si bashkëluftëtar i juaji, por edhe si president i vendit, duke respektuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik tuajin në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe sovranitetin e vendit, të ndajë dekorata për kontributin tuaj të çmuar”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se në të njëjtën kohë, sot kujtojmë gjithë të rënët e lirisë, kujtojmë plagët dhe sakrificën e invalidëve të luftës, vlerësojmë lart kontributin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vlerësojmë kontributin e çdo qytetari të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, vlerësojmë lart kontributin e diasporës shqiptare dhe falënderojmë gjithmonë miqtë tanë ndërkombëtarë, para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që dhanë gjithçka edhe ata për të na u gjendur afër, pranë nesh dhe me ne, për të mundur të keqen, për t’i mundur ata që kryenin gjenocid, spastrim etnik dhe kryenin masakra në Kosovë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi gjatë ditës do të bëjë homazhe edhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
/Epoka e re/