Presidenti Thaçi niset për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar të dielën për në Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në edicionin e dytë të Forumit të Paqes në Paris, presidenti Thaçi në një panel të veçantë do të flasë për sfidat e ndërtimit dhe ruajtjes së paqes.
Forumi i Paqes i Parisit është iniciativë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.
Këtë vit në Forumin e Paqes në Paris marrin pjesë presidentë nga e tërë bota, përfaqësues të organizatave kryesore ndërkombëtare si OKB dhe BE, si dhe përfaqësues të kompanive dhe organizatave joqeveritare e “think-tankeve” më me ndikim në botë.
/Epoka e re/