Presidenti Thaçi: Nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë
Presidenti Hashim Thaçi është i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel ku me anë të një lidhje skype ka folur për krizën politike në Kosovë, zgjedhjet e reja dhe për marrëveshjen me Serbinë.
Për këtë të fundit, ai ka thënë se nuk ekziston një plan sekret.
Albin Kurti thotë se ju i keni thënë që hiqeni taksën dhe hajde shkojmë në Uashington dhe të heqim qafe Serbinë, a ka një plan sekret?, e pyeti Eni Vasili.
“Nuk ka asnjë plan të fshehtë me Serbinë. Nuk ka asnjë plan as në tavolinë, as mbi tavolinë as majtas e as djathtas. Është një konspiracion ideja e shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Thaçi.
A ka një marrëveshje të gatshme, një marrëveshje përfundimtare?, e pyeti Eni Vasili.
“Nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare. E sigurt është që edhe në marrëveshjen që do të krijohet, marrëveshja do të jetë në përputhje me të gjithë Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Thaçi.