Presidenti Thaçi: Operacioni ‘Shigjeta’ ishte kryeprojekti i UÇK-së
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në shënimin e njëzetvjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.
Ai ka thënë se beteja e Pashtrikut ishte një prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Projekti ‘Shigjeta’ me organizimin, me vendimmarrjen, me jehonën e brendshme dhe ndërkombëtare, ishte kryeprojekti i betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Presidenti i vendit ka thënë se domosdoshmëria e një fronti të gjerë dhe masiv luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë ushtrisë dhe policisë serbe ishte shtruar qysh në janar të vitit 1999.
“Populli ynë sapo kishte përjetuar një prej masakrave më çnjerëzore në Reçak, por për të mos lejuar që të ndodhnin edhe më tutje, në atë kohë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte ngarkuar Drejtorinë Operative për ta përgatitur operacionin ushtarak ‘Shigjeta’, i cili rezultoi të jetë operacioni më i madh, më masiv dhe më frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, të gjithë ju bashkëluftëtarë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë të luftës, të gjithë ju pjesëmarrës të këtij fronti të gjerë luftarak, çdoherë ndjehuni krenarë për lavdinë e betejës që e keni zhvilluar dhe që e keni fituar bashkë me aleatët”, është shprehur Thaçi.
Ai ka theksuar se në atë kohë si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme e kujton më së miri, jo vetëm jehonën në rrafshin e brendshëm të këtij fronti të gjerë ushtarak, por edhe jehonën ndërkombëtare gjithë botërore që kishte fillimi i operacionit “Shigjeta”, i cili përveç depërtimit në atë kohë në tri drejtime operative, përkatësisht në drejtim të Koshares, të Pashtrikut dhe Koretnikut, kishte për qëllim edhe koordinimin me forcat ajrore të NATO-s, të cilat pandërprerë godisnin vendqëndrimet e kamufluara të policisë dhe ushtrisë serbe.
“Operacioni ‘Shigjeta’ apo fronti i Pashtrikut ishte një operacion që mobilizoi tërë arsenalin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fitoi një mbështetje të fuqishme, të jashtëzakonshme nga shteti shqiptar, mbështetje logjistike, profesionale, ushtarake, gjithë popullore, por në të njëjtën kohë e fitoi edhe një mbështetje të botës demokratike, një mbështetje të aleancës së NATO-s. Pra, kishte ardhur momenti për këtë ofensivë të hapur, për një front të gjerë sulmues dhe kjo ishte e vetmja mundësi që të ndodhte së mobilizuari edhe diaspora gjithë shqiptare që kishin ardhur pas ftesës për mobilizim për luftë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ishte java e tretë dhe e katërt e majit 1999, tash e 20 vjet më parë, sipas presidenti Thaçi, kur ky front u hap dhe ndodhi sulmi më masiv dhe më i suksesshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në atë kohë, në pamundësi që ushtria serbe të përballej me sulmin masiv dhe të fuqishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë tërë makineria e tyre ushtarake u vunë në mbrojtje dhe në përpjekje për t’i kundërsulmuar njësitet tona dhe luftëtarët tanë trima, që qëndronin stoikisht dhe heroikisht në istikamet e luftës, ushtria serbe zbuloi edhe artilerinë e rëndë ushtarake që e mbanin të maskuar mes malesh, e cila më pas u godit nga NATO-ja”, ka thënë ai.
I pari i vendit ka thënë se beteja e Koshares, beteja e Pashtrikut dhe më pas e planifikuar që të ndodhte edhe ajo e Koretnikut, e cila nuk ndodhi sepse përfundoi lufta dhe u nënshkrua marrëveshja në Kumanovë, ishin projektuar si mundësi të vetme për të hapur një korridor lidhës të lirë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Një korridor që neve do të na ndihmonte në furnizimin me armatim, por edhe në bartjen e qytetarëve tanë si refugjatë nga zona e luftës drejt Shqipërisë”, ka thënë ai.
Për të gjithë ne, por edhe aleatët tanë, presidenti Thaçi ka theksuar se fronti i Pashtrikut ishte front i shpresës, i besimit, i optimizmit, ishte fronti i fitores përfundimtare historike të shqiptarëve kundër Serbisë.
“Humbjen më të madhe në historinë e luftës së Kosovës 1998-1999, Serbia e pësoi pikërisht në frontin e Pashtrikut dhe kjo ishte kryebeteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës sonë. Kjo majë këtu është maja apo beteja kulmore që e kemi zhvilluar ne. Lufta jonë filloi në Prekaz, filloi aty ku edhe pritej të fillonte lufta e armatosur kundër ushtrisë dhe policisë serbe nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij, për të vazhduar e zgjeruar lufta në tërë Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi.
Më herët në historinë tonë, në shekullin e fundit, presidenti Thaçi ka treguar se kishin zhvilluar kryengritje lokale, kishim zhvilluar beteja të ashpra kundër Serbisë, por mungonte ai uniteti i fuqishëm politik dhe ushtarak, mungonte edhe mbështetja ndërkombëtare që të arrijmë synimin tonë për çlirimin e vendit.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri përjashtim duke mësuar nga e kaluara, duke marrë shpirtin luftarak dhe duke qartësuar qartë vizionin politik, se një luftë fitohet vetëm me një mobilizim të përgjithshëm, me një qartësi politike dhe me mbështetje të partnerëve. Kështu që UÇK-ja mobilizoi popullin e Kosovës, mobilizoi gjithë kombin dhe kur shqiptarët u bashkuan, atëherë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja u vunë në mbështetje të luftës sonë për liri, për pavarësi dhe shtetin tonë”, ka thënë Thaçi.
Si kryeministër i Qeverisë së përkohshme në atë kohë, presidenti Thaçi rrëfej edhe bisedën që kishte zhvilluar në selinë e NATO-s, me gjeneralin Wesley Clark.
“Të tëra do t’i kalojmë, më tha, por një gjë nuk duhet të lejojmë të ndodhë kurrë. Ushtria serbe në asnjë rrethanë, në asnjë moment, nuk duhet lejuar të prekë majat e Pashtrikut. Ajo është e jona dhe ne do ta mbrojmë me ju dhe do ta fitojmë këtë betejë dhe asnjë ushtar serb, jo në Pashtrik, por as në Zveçan, nuk do të mbetet në territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksoi presidenti Thaçi.
Duke u mbështetur në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, të gjithë dëshmorët e rënë në betejën e Pashtrikut, presidenti Thaçi i ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”.
/Epoka e re/