Presidenti Thaçi për Sali Berishën: Ka bërë mëkate të mëdha
Korrigjimi i kufijve të Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës janë dy terma që kanë ndarë në dy kampe politikën në Shqipëri dhe Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka sulmuar ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e ka akuzuar atë si “Argat të Beogradit”.
“Mëkate të mëdha” ka bërë Berisha, tha Presidenti Thaçi, duke iu referuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa sa i përket qëndrimit që mban Sali Berisha duke kundërshtuar shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, presidenti Thaçi e konsideron ish-kryeministrin shqiptar “gërmadhë të politikës”.
Hashim Thaçi: “Z. Berisha nuk ka patur guximin të kundërshtonte idenë për shkëmbimin e territoreve nga z. Rugova. Z. Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj UÇK-së dhe këto mëkate kanë qenë paralele të luftës në terren kundër shqiptarëve dhe propagandës së ashpër për UÇK-në terroriste. Në vitin 1999 unë kam shkuar në zyrën etij dhe pastaj kemi patur një komunikim normal. Kur jam zgjedhur kryeministër, kemi pasur respekt reciprok.
Shpreh keqardhje për gjendjen e tij emocionale si një gërmadhë për skenën e politikës shqiptare. Nëse dikush mendon që dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i dëmshëm, mendoj se është shumë naiv. Për arsye se ka qenë transparent. Unë jam vetëm për korrigjim të padrejtësive historike. Ky është pozicioni im”. /tvklan.al/