Presidenti Thaçi pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Katarit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Katarit për Kosovën, Ali bin Hamad Al Marri.
Thaçi fillimisht e ka uruar ambasadorin për detyrën e re dhe i ka ofruar mbështetje të plotë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, ku shumë shpejt pritet të ketë edhe jetësim të projekteve konkrete në këtë fushë.
“Katari e ka mbështetur Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Për këtë do u jemi gjithmonë mirënjohës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka thënë se shumë shpejt Kosova do ta hapë ambasadën e saj në Doha dhe kjo do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Nga ana tjetër, ambasadori Ali bin Hamad Al Marri, ka thënë se Katari do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës.
/Epoka e re/