Presidenti Thaçi pret paraqitje dinjitoze të sportistëve në Buenos Aires
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar sportistët e Kosovës Erza Muminoviqin, Melisa Zhdrellan, Muhamet Ramadanin, Erdonis Maliqin, dhe Bleron Fetaovskin për paraqitje të mirë në Lojërat Olimpike Verore në Buenos Aires.
“Ambasadorët më të mirë të republikës sonë, sportistët tanë, sonte nisen për në Argjentinë, ku do të garojnë në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018. I uroj suksese xhudistes sonë Erza Muminoviq, notares Melisa Zhdrella, atletit Muhamet Ramadani, boksierit Erdonis Maliqi, peshëngritësit Bleron Fetaovski, si dhe të gjithë pjesëtarëve të ekspeditës kosovare në kryeqytetin argjentinas. Pas Rios, mbetemi me shpresë që flamuri i Kosovës do të ngrihet lart edhe në Buenos Aires”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.
/Epoka e re/