Presidenti Thaçi sqaron se çfarë foli sy më sy dhe çfarë i ka kërkuar kancelares Merkel
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 9 maj ka qëndruar për vizitë zyrtare në Gjermani, ku është pritur nga kancelarja, Angela Merkel.
Gjatë vizitës atje, Thaçi, ka zhvilluar një takim sy më sy me Merkel, rreth së cilit ka dhënë sqarime se çfarë është biseduar konkretisht.
“Biseda ka qenë shumë përmbajtjesore, ka qenë me plotë mesazhe, me shkëmbim të ideve të hapave konkret që duhet ndërmarr për të ardhmen euroatlantike, për mundësitë që Gjermania të ndihmojë këtë proces. Gjithashtu edhe për mundësinë e hapjeve të kapitujve të ri. Kemi diskutuar për zhvillimet e brendshme, në rajon, raportet më fqinjët dhe si të lëvizet më shpejt drejt së ardhmes evropiane”, ka thënë Thaçi.
“Kam kërkuar që Gjermania të luajë rolin e vet aktiv, dinamik dhe vet Merkel t’i jep dinamikë të re të negociatave përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë që do të përmbyllej më njohje reciproke dhe anëtarësim e Kosovës në OKB. Kemi diskutuar për luftën kundër terrorizimit, obligimet e Kosovës karshi ndërkombëtare dhe hapat e mëtutjeshëm me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, si dhe Serbinë. Gjermania ka qenë prej vende të para që ka njohur shtetin tonë. Roli i Gjermanisë është i rëndësishëm jo vetën në aspektin ushtarak dhe diplomatik por edhe të sjelljes së investitorëve gjermanë. Kosova i është mirënjohëse Gjermanisë dhe Kancelares Merkel”, ka deklaruar Thaçi në “Zona B”, duke shtuar se Merkel do ta ndihmojë Kosovën për ndërtimin e raporteve evropiane.
“Kancelarja Merkel është zotuar se do të marrë rol për të shtyrë përpara procesin e dialogut Kosovë – Serbi, për ndërtimin e raporteve evropiane,si kusht për të lëvizur drejt familjes evropiane. Ritheksoj se te Kancelarja Merkel, kam besim të plotë se me lidërshipin evropian, në koordinim edhe me SHBA-në do të kenë qasjen e njëjtë dhe një zë për të shtyrë përpara normalizimin e marrëdhënieve tona. Propozimet e njëanshme nuk do të funksionojnë, por propozimet e standardit evropian. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje, shkëmbim territoresh. Kosova ka autoritet e vet kushtetues. Normalizimi ndodh në emër të vlerave të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane. Pas kësaj bisede dhe bisedave tjera që Merkel ka zhvilluar me Vuçiqin, SHBA dhe vendet e QUINT-it, BE dhe SHBA do të mbështesin njëzëri Mogherinin dhe që brenda gjashtë muajve të arrihet një marrëveshje – të fitojmë njohjen nga Serbia. Pajtimi nuk do të jetë i lehtë, sepse rreth 400 masakra që ka kryer Serbia ende nuk ka marrë përgjegjësi. At masakra janë kryer prej shtetit të Serbisë. Por kam besim he i ftoj njerëzit që të mendojnë për të ardhmen”, ka thënë ai.