Presidenti Thaçi takoi ndihmëssekretarin Mitchell, merr mbështetjen e ShBA-së
Presidenti i Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, kanë zhvilluar një takim me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell.
Në këtë takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi ka falënderuar ndihmëssekretarin Mitchell për mbështetjen e palëkundur të ShBA-së që ka dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës në të gjitha periudhat, nga liria, te shtetndërtimi dhe tani forcimi i perspektivës euroatlantike.
“ShBA-ja është aleati ynë i përjetshëm. Të gjitha proceset i kemi projektuar dhe finalizuar së bashku. Prandaj, ne asnjëherë nuk do të largohemi nga kjo rrugë. Do të ecim së bashku drejt sfidave të reja që na presin”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Duke folur për fazën e fundit të dialogut, presidenti Thaçi ka theksuar se mbështetja amerikane në këtë proces është jetik, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme.
Ndërsa, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, ka siguruar presidentin e Kosovës se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithëmbarshme për Kosovën.
/Epoka e re/