Presidenti Thaçi takon ambasadorët e Kuintit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot pasdite në një takim të përbashkët ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, atë të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadorin e Francës, Didier Chabert, atë të Italisë, Piero Cristoforo Sardi, shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, si dhe Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kosova zotohet dhe do të jetë e përgjegjshme në funksionalizimin e Grupit Punues, që do të fillojë punën në draftimin e Statutit të Asociacionit”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën, me ligjet e Kosovës dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.
Ambasadorët ndërkombëtarë theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale në realizimin e këtij obligimi që Kosova ka marrë në Bruksel.