Presidenti Thaçi: Uashingtoni e ka thënë qartë që dialogu është për njohjen reciproke

16 qershor 2020 | 11:02

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet e vendit i kanë thënë “Po” ftesës së ShBA-së për takimin Kosovë-Beograd në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Institucionet e Kosovës pas ftesës së ShBA-së, të presidentit Donald Trump dhe konkretisht ambasadorit Richard Grenell për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë i janë përgjigjur pozitivisht dhe mirëpresim këtë hap të rëndësishëm, vendimtar dhe shumë të drejtë të ShBA-së me besim të plotë se me të vërtetë është koha që edhe konkretisht të lëvizim përpara si shtet dhe shoqëri, por edhe për paqen në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi në një konferencë për medie.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë mirëqenie më të mirë.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë progresin, jetën në prosperitet, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale të tyre. Për t’i hapur rrugë progresit dhe zhvillimit ekonomik është jetike që të mbyllen çështjet e hapura që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe para së gjithash investimet e huaja”.

“SHBA-të dhe aleatët tanë të tjerë të përbashkët evropianë janë të gatshëm të investojnë në Kosovë – në Kosovën e konsoliduar si shtet të pavarur, sovran dhe në paqe. Parakusht është stabiliteti politik dhe i rajonit. Kjo e bën të rëndësishëm procesin e dialogut mes dy vendeve që kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin në raporte armiqësore”, është shprehur Thaçi.

Më tutje, Thaçi është shprehur i bindur se marrëveshja finale me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke.

“Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa për 27 qershor për takim në Shtëpinë e Bardhë rrit shpresën, optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses, pasi ky proces ka mbështetjen e qartë të ShBA-së, vetë presidentit Donald Trump, si dhe këmbëngulësinë dhe vizionin e ambasadorit Richard Grenell”.

“Kosova gjithmonë ka besuar në ShBA-në dhe ka dalë fituese. Uashingtoni e ka thënë qartë, edhe në letrat e presidentit Donald Trump, që ky proces është për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë për të vazhduar angazhimet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në OKB”.

“Të bashkuar dhe me partneritet me ShBA-në jam i bindur se do t’ia dalim me sukses dhe do të dalim me rezultate konkrete. Kështu ka qenë edhe në Rambuje dhe në Vjenë dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe në Uashington”, ka thënë Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendet në zhvillim do të vuajnë më shumë, po të…