Presidenti Thaçi viziton Klinikën Infektive, premton përkrahje institucionale për punëtorët shëndetësorë

28 korrik 2020 | 11:22

Janë rreth 600 pacientë të shtrirë aktualisht të konfirmuar me Covid-19, të cilët janë të shtrirë në QKUK dhe spitale të tjera regjionale.

Prej tyre 40 janë në aparate respiratore, e mbi 300 të tjerë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi. Kështu është thënë sot gjatë vizitës së presidentit të vendit, Hashim Thaçi në Klinikën Infektive, ku nga marsi janë ofruar mbi 3 500 shërbime ambulantore.

Hashim Thaçi ka vizituar mëngjesin e sotëm stafin shëndetësor të Klinikës Infektive, të IKShPK-së dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shëndetësore. Ai ka uruar stafin shëndetësor për punën që është duke bërë tash e sa muaj.

Në këtë kontekst, Thaçi i ka quajtur heronj punëtorët shëndetësorë të cilët janë duke u ballafaquar me pandeminë.

“E di që keni qenë shembull për rajonin dhe më gjerë. Keni marrë veprime shumë të shpejta, të sakta dhe precize. Më vjen mirë që është një mobilizim i gjithë mjekëve, stafit të mjekësisë këtu dhe gjithashtu edhe në nivel lokal. E kemi biseduar edhe me qeverinë, edhe Ministrinë e Shëndetësisë, kryeministrin Hoti dhe gjithë të tjerët, të jeni të sigurt që do ta keni përkrahjen e gjitha institucioneve në mënyrë që ta tejkaloni sa më lehtë dhe me më pak pasoja”, ka thënë ai.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka treguar për numrin e personave të cilët janë të shtrirë në QKUK dhe spitale të tjera regjionale. Derisa ka theksuar se janë duke bërë riorganizimin sa i përket nevojës për rritjen e kapaciteteve të shtretërve për të trajtuar personat e infektuar me Covid-19.

Sipas tij, stafi shëndetësor në këtë kohë më së shumti ka nevojë për përkushtim dhe vëmendje të institucioneve.

“Kemi arritur që deri tani të bëjmë riorganizimin në kuptim të asaj që kemi vënë 700 deri në 750 shtretër në dispozicion për pacientët me Covid nëpër spitalet rajonale dhe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare. Dhe, po ashtu kemi angazhuar një numër të madh të personelit shëndetësor dhe të profileve të tjera që janë duke trajtuar pacientët. Sot në këto momente kemi diku rreth 600 pacientë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale. Qoftë të dyshuar ose të konfirmuar me infeksionin Covid, dhe gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të mbetet e rëndë. Kemi mbi 40 pacientë që janë në aparate respiratorë, qoftë të intubuar, qoftë me metoda të tjera, dhe kemi mbi 300 pacientë që po trajtohen me oksigjeno-terapi. Nga ky numër tani kemi diku 270 pacientë në klinikat e QKUK-së dhe mbi 330 nëpër spitalet rajonale. Pra kemi ofruar një qasje të regjionalizimit të pacientëve, në mënyrë që pacientët me forma më të lehta të trajtohen në kuadër të spitaleve të tyre rajonale”, ka shtuar Krasniqi.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK), Naser Ramadani, ka treguar për gjendjen e rënduar ditëve të fundit. Ai ka bërë thirrje që të respektohen tri masat vendimtare, distanca fizike, mbajtja e maskës dhe higjiena personale.

“Për neve është gjendje alarme të thuhet që të mund të ulin lakoren epidemiologjike. Këtë lakore epidemiologjike do të mund ta ulim duke pasur parasysh të gjitha planet e gatishmërisë të cilat i kemi bërë deri më tani. Dhe të gjitha vendimet që janë marrë nga rekomandimet e Institutit Kombëtar të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës. Dhe me këtë thelbi këtyre vendimeve konsiston në marrjen e masave nga çdo qytetarë i Kosovës. Në mbajtjen e distancës, në vënien e maskave, dhe në mbajtjen e higjienës personale. Të gjitha këto janë vendim i të gjithë neve, pa marrë parasysh ku gjendemi, në çdo cep të Kosovës që t’i ndërmarrim këto masa, sepse janë për të mirën tonë dhe çdo qytetarë e ka për të mirën e vet dhe të afërmve… Deri më tani të evidentuar në data bazë dhe të hulumtuar i kemi 35 mijë raste të gjurmuara, dhe nga këto raste praktikisht mbi 7 mijë raste kanë rezultuar pozitiv, ndërsa 3200 raste janë aktive në Kosovë. Prej të cilave 600 të hospitalizuar”, kat heksuar Ramadani.

Më tutje, drejtoresha e Klinikës infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, ka theksuar se kjo klinikë ka organizuar punën rreth Covid-19 që nga 8 shkurti, kur kishin filluar rastet e para të dyshimta, ndërsa nga data 13 janë konfirmuar ato të parat.

Kurse infektologu Salih Ahmeti, ka thënë se puna me pacientët me Covid është sfiduese për ta, meqë sipas tij është shtuar numri i nevojave për shërbime.

Nga 13 marsi janë konfirmuar 7413 raste me Covid-19, prej tyre 4027 janë shëruar, ndërsa 185 kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulëzim ETEMAJ Pak kohë pasi në vitin 1990 kishte filluar…