Presidenti Thaçi: Vrasësit e vëllezërve Bytyçi janë në institucionet më të larta të Serbisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ilir Bytyçin, vëllain e tre heronjve të Kosovës, Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyçit, pjesëtarë të batalionit “Atlantiku” të vrarë nga forcat serbe.
Presidenti Thaçi ka thënë se në shumë takime me përfaqësues ndërkombëtarë, krahas çështjes së pagjeturve ka ngritur edhe vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi.
“Së fundmi këtë çështje e kemi diskutuar edhe me senatorë dhe kongresistë amerikanë, të cilët kanë bërë një punë të madhe në rritjen e presionit ndaj shtetit serb. Vrasësit e vëllezërve Bytyçi dihen me emër dhe mbiemër dhe janë të pozicionuar në institucionet më të larta të shtetit serb”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, Ilir Bytyçi në emër të familjes e ka falënderuar presidentin Thaçi për angazhimin e tij për këtë çështje.
Ai ka theksuar se ngritja e kësaj çështje nga institucionet e Kosovës do të rrisë presionin mbi Serbinë për të ndriçuar këtë dhe rastet e tjera të luftës në Kosovë.
Presidenti Thaçi edhe njëherë ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen deri në fund të rastit Bytyçi dhe sjelljen e krimineleve para drejtësisë.
/Epoka e re/