Presidenti tregon se çfarë u bisedua me zyrtarin e lartë amerikan në Prishtinë
Presidenti Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se sot bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar një takim me nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.
Sipas Thaçit, temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me ShBA-në.
“Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona”, ka shkruar presidenti.
Thaçi ka theksuar se duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova ka përsëritur zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.
“Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun. Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, ka shkruar presidenti Thaçi.
/Epoka e re/