
Presidenti Trump i bën “qokën” Elon Musk, ble një Tesla të kuqe për 80 mijë dollarë (VIDEO)
Miqtë e mirë duken në kohë të vështira. Dhe Donald Trump nxitoi të mbështesë mikun e tij Elon Musk, duke i dhënë një dorë me blerjen e një makine Tesla, në një kohë stuhish për gjigandin e automobilave elektrike.
I gjithë planeti e ka kuptuar plotësisht se mandati i dytë i Trump si President i SHBA do të jetë plot surpriza dhe të papritura, e këtë e konfirmon më së miri shndërrimi i Shtëpisë së Bardhë në një “përfaqësi” të Tesla-s.
Në një event të mbajtur para Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump u shfaq mes modeleve të ndryshme të Tesla-s, duke blerë siç kishte premtuar për 80 mijë dollarë një Tesla Model S me ngjyrë të kuqe.
Arsyeja që ai e bëri këtë është për t’i dhënë një shtysë shitjeve të kompanisë, të cilat kanë qenë në rënie kohët e fundit.
Donald Trump teksa hipte në Tesla-n Model S, u shfaq i impresionuar nga automjeti elektrik me 1020 kuaj fuqi dhe tha: “Uou, e bukur”.
Në takimin e tij me Musk, i cili ishte ulur në sediljen e pasagjerit, Trump komentoi me shaka se kjo përvojë mund të shkaktojë sulm në zemër te Shërbimi Sekret, për shkak të aludimeve për shpërthimet e automjeteve elektrike.
Në të njëjtën kohë, Trump njoftoi se administrata e tij do t’i karakterizonte sulmet e fundit ndaj shitësve të Tesla-s si akte terrorizmi, duke pretenduar se ato kanë në shënjestër një kompani të rëndësishme amerikane.
Presidenti më pas me një postim në Truth Social lavdëroi Elon Musk, duke e konsideruar atë një patriot “fantastik” që “bën më të mirën” për kombin.
Trump akuzoi gjithashtu “të çmendurit radikalë të krahut të majtë për orkestrimin e një bojkoti të paligjshëm” ndaj Tesla-s për të minuar Elon Musk dhe vlerat e tij.
Lëvizja e Trump pati një ndikim të drejtpërdrejtë në vlerën e tregut të aksioneve të Tesla-s. Sipas CNN, aksionet e kompanisë u rritën me 3.8% të martën, duke rikuperuar humbjet e një dite më parë.
Aksionet e Tesla kanë pësuar rënien më të madhe në pesë vite, duke humbur rreth 800 miliardë dollarë në vlerën e tregut që nga koha kur arriti kulmin e saj në dhjetor.
Disa faktorë po çojnë në rënien e Tesla-ss. Analistët parashikojnë një rënie prej 6% në dërgesat e makinave në tremujorin e parë krahasuar me vitin e kaluar, duke sinjalizuar dobësimin e kërkesës.
Për më tepër, përfshirja e thellë politike e Elon Musk – veçanërisht roli i tij në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë të administratës Trump – i ka shqetësuar investitorët. Për të komplikuar çështjet, platforma e Musk, ‘X’, pësoi një sulm të madh kibernetik, duke shtuar shqetësimet.
Pavarësisht recesionit, Tesla ruan pozicionin e saj si prodhuesi më i vlefshëm i automjeteve, me një vlerë tregu prej 696 miliardë dollarësh – duke tejkaluar shumë konkurrentët si Ford dhe VW.