Presidenti Trump shpall planin për t’i dhënë fund orës diellore

16 dhjetor 2024 | 22:52

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, tha të premten se Partia Republikane ka në plan t’i japë fund orës verore, të cilën e quajti “të papërshtatshme dhe shumë të kushtueshme për vendin tonë.”

“Partia Republikane do të bëjë përpjekjet e saj më të mira për të eliminuar orën verore, e cila ka një grup mbështetësish të vegjël, por të fortë, por ajo orë nuk duhet!” shkroi Trump në rrjetet sociale.

“Ora verore është e papërshtatshme dhe shumë e kushtueshme për vendin tonë”, – shtoi ai.

Ora verore – zhvendosja e orës një orë përpara gjatë gjysmës së vitit në verë për të përfituar sa më shumë nga mbrëmjet më të gjata – është në fuqi në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara që nga vitet 1960, por ka qenë temë debati vitet e fundit.

Disa ligjvënës kërkojnë të qëndrohet gjatë gjithë vitit në orën standarde, të tjerë kanë deklaruar se preferojnë të mbetet gjatë gjithë vitit ora verore, ndërsa disa të tjerë kërkojnë të ruhet status quo-ja. Presidenti Joe Biden nuk mori kurrë një pozicion publik mbi këtë çështje.

Në mars 2022, Senati i SHBA-ve votoi unanimisht për ta bërë orën verore të përhershme, por përpjekja ngeci në Dhomën e Përfaqësuesve pasi ligjvënësit thanë se nuk arritën një konsensus. Një grup dypartiak senatorësh bëri një përpjekje të re në mars për ta bërë orën verore të përhershme.

Mbështetësit e orës verore argumentojnë se kjo do të çonte në mbrëmje dhe pasdite më të ndriçuara dhe më shumë aktivitet ekonomik gjatë muajve të dimrit.

Kritikët thonë se kjo do t’i detyronte fëmijët të shkonin në shkollë në errësirë, pasi masa do ta vononte lindjen e diellit me një orë.

Përkrahësit e eliminimit të plotë të orës verore argumentojnë se ndryshimi dy herë në vit i orës shkakton çrregullime të gjumit dhe probleme shëndetësore.

Kongresi nuk ka zhvilluar asnjë seancë dëgjimore për këtë çështje për më shumë se dy vjet dhe Senati duhet ta shqyrtojë sërish çështjen.

Ora verore gjatë gjithë vitit është përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u miratua sërish në vitin 1973 si përpjekje për të ulur konsumin e energjisë për shkak të një embargoje nafte, por ishte e papëlqyeshme dhe u anulua një vit më vonë.

Që nga viti 2015, rreth 30 shtete kanë propozuar ose miratuar legjislacion për t’i dhënë fund ndryshimit të orës dy herë në vit, me disa shtete që propozojnë ta bëjnë këtë vetëm nëse shtetet fqinje veprojnë njësoj.

Në Shqipëri, ora ndryshon 2 herë në vit, ajo dimërore në të dielën e fundit të tetorit dhe ajo diellore në të dielën e fundit të marsit.

Edhe Bashkimi Evropian është në diskutime për të unifikuar orën, por ka plot zëra pro dhe kundër për të lënë në fuqi orën diellore që mundëson më shumë dritë pasdite, apo atë dimërore që siguron një orë më shumë ditë në mëngjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Jon Henley në Paris dhe Deborah Cole në Berlin…