Presidenti Trump: Udhëheqësi i Shtetit Islamik ka vdekur
Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik (IS), Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë në një operacion të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë. Kështu ka bërë me dije presidenti amerikan, Donald Trump.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump gjatë një konference për media ka thënë se al-Baghdadi e shpërtheu jelekun e tij vetëvrasës gjatë sulmit që u zhvillua të shtunën vonë.
“Ai ka vdekur si një qen. Ai ka qenë një njeri i sëmurë dhe i prishur dhe tani është zhdukur”, ka thënë Trump.
Presidenti Trump ka thënë se forcat amerikane kanë qenë në kompleksin ku po qëndronte al-Baghdadi përafërsisht dy orë.
Presidenti po ashtu tha se një numër i madh i shoqëruesve të tij janë vrarë në sulm. “Al-Baghdadi ishte i shoqëruar nga tre fëmijët e tij të vegjël dhe shpërtheu jelekun e tij vetëvrasës, duke i vrarë të gjithë”, ka treguar Trump.
Ai ka thënë se shpërthimi ia ka gjymtuar trupin, porse provat e mbledhura e kanë konfirmuar identitetin e tij. “Ky sulm ka qenë pa të meta dhe mund të ndodhte vetëm me ndihmën e disa vendeve dhe njerëzve të tjerë. Dua të falënderoj Rusinë, Turqinë, Sirinë dhe Irakun, e po ashtu kurdët sirianë për mbështetjen. Ky ishte një mision shumë, shumë i rrezikshëm”, ka deklaruar presidenti Trump.