Presidenti Trumpi thotë se homologu i tij francez e ka fyer NATO-n
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar presidentin francez, Emmanuel Macron për komentet e tij në të cilat e ka përshkruar NATO-n si “klinikisht të vdekur”, duke thënë se komentet e udhëheqësit francez janë “deklaratë e keqe”.
Duke folur përkrah sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare janë mbledhur për një samit në Londër, presidenti Trump ka thënë se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla sikurse ato për NATO-n”.
Komentet e presidentit Macron janë bërë në një intervistë me revistën britanike “The Economist”, muajin e kaluar.
Ai që atëherë ka mbrojtur qëndrimet e tij, duke thënë se NATO-s “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të ndryshme nga shuma e parave që secili anëtar shpenzon për mbrojtjen.
Shpenzimet e mbrojtjes janë nënvizuar vazhdimisht nga presidenti Trump që kur ka marrë detyrën në vitin 2017 dhe është ankuar se Shtetet e Bashkuara po bartin barrën e tepruar financiare.
Përveç buxhetit vendet anëtare të NATO-s, ka thënë sekretari Stolteberg, do të diskutojnë për luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimeve, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Samiti po mbahet derisa presidenti Trump përballet në shtëpi me një hetim për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikat e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca ndërsa ai po merr pjesë në samit.