Presidenti turk miratoi vendimin për hyrjen e Finlandës në NATO
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan miratoi vendimin e parlamentit të vendit për të ratifikuar kërkesën e Finlandës për anëtarësim në NATO.
Dekreti i Erdoganit është publikuar në Gazetën Zyrtare Turke.
“Ratifikimi i Protokollit të pranimit të Finlandës në Traktatin e Atlantikut të Veriut, i nënshkruar në Bruksel, më 5 korrik të vitit 2022, konsiderohet i përshtatshëm. Ligji hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij”, thuhet në tekstin e dekretit.
Kjo do të thotë se ka përfunduar ratifikimi i aplikimit finlandez për NATO nga të gjithë anëtarët e Aleancës, në mënyrë që në ditët në vijim, Finlanda të bëhet anëtarja e 31-të e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Përveç Turqisë, e cila ishte e fundit që ratifikoi aplikimin, edhe parlamenti i Hungarisë bllokoi procesin, por këtë javë, pas muajsh vonese, miratoi hyrjen e Finlandës në NATO. Anëtarësimi i saj do të përfaqësonte zgjerimin e parë që kur Maqedonia e Veriut u bashkua me aleancën në vitin 2020.
Në maj të vitit të kaluar, Finlanda dhe Suedia paraqitën aplikime te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për anëtarësim në Aleancë. Megjithatë, Ankaraja nuk ka dhënë ende “dritën jeshile” për anëtarësimin e Suedisë dhe as Hungaria.
Turqia ka akuzuar Suedinë se strehon anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën Ankaraja e konsideron një grup terrorist. Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan më tej nga protestat në janar pranë ambasadës turke në Stokholm, ku një politikan i krahut të djathtë dogji një kopje të Kuranit.
Qeveria hungareze njoftoi gjithashtu këtë javë se vendi do të vonojë pranimin e Suedisë në NATO për shkak të kritikave të Stokholmit ndaj politikave të kryeministrit Viktor Orban.