Presidenti u bën ftesë partive politike për përfshirje në dialogun me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas ftesës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel, u ka bërë thirrje publike subjekteve politike që të bëhen pjesë e ekipit negociator.
Presidenti Thaçi ka thënë se të dielën do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
I pari i vendit ka shtuar se në bazë të mandatit kushtetues, si president i Republikës së Kosovës e ka obligim kushtetues që të përfaqësojë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, respektivisht t’i prijë këtij dialogu deri në fund.
“Çështja e dialogut me Serbinë dhe e arritjes së kësaj marrëveshjeje ka gjithsesi karakter të interesit nacional dhe shtetëror për Kosovën. Për këtë shkak, mendoj që nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet politike tona të përkohshme, shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse dhe atyre opozitare, duke i bërë jorelevante relacionet afatshkurtra midis politikanëve dhe partive kosovare. Kjo çështje na takon të gjithëve. Është interes i të gjithë neve dhe i qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.
Ai ka thënë se është e domosdoshme që të krijohet një delegacion gjithëpërfshirës i Kosovës, i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike, shoqëria civile, mediat, ekspertët e fushave të caktuara dhe të punohet bashkërisht.
“Mendoj se një gjë e tillë do ta bënte këtë proces shumë më transparent, shumë më kredibil dhe përfundimisht më të pranueshëm dhe të zbatueshëm në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Jam i gatshëm për t’i trajtuar të gjitha idetë dhe propozimet të cilat do të na bëjnë sërish bashkë, si politikë dhe si shoqëri, për t’u përballur si duhet me sprovën që na pret tash e tutje”, ka deklaruar Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se thirrja që në delegacionin e Kosovës të përfshihen të gjithë akterët është thirrje institucionale, e ndershme dhe meriton një përgjigje afirmative.
Ndërsa, nëse do të ndodhë një gjë e tillë dhe deri në çfarë shkallë mund të arrijë krijimi i një delegacioni gjithëpërfshirës, presidenti ka thënë se kjo mbetet të shihet.
/Epoka e re/