Presidenti: UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet

05 tetor 2018 | 12:01

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në inaugurimin e Kompleksit Memorial të heronjve dhe dëshmorëve në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt.

Thaçi ka thënë se inaugurimi i Kompleksit Memorial të dëshmorëve në Marinë po rrumbullakohet më varrimin e mbetjeve mortore të tre komandantëve të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Abedin Rexhës, Mujë Krasniqit dhe Ilaz Kodrës.

“Në këtë tokë të Drenicës do të pushojnë përjetësisht eshtrat e 158 dëshmorëve të UÇK-së. Ata që në kohë dhe vende të ndryshme, në grupe ose individualisht, ranë heroikisht në beteja, istikame, aksione e përballje më forcat serbe në vitet 1998, 1999. Këtu do të prehet krenaria e Drenicës, Kosovës dhe mbarë kombit. Këta emra të skalitur në gur graniti ishin bijat dhe bijtë tuaj të shtrenjtë. Ishin bashkëluftëtarët tanë që më shumë se jetën e kishin të shtrenjtë lirinë e atdheut, lirinë e Kosovës. Në vitet e papërsëritshme, ata u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.

Kush hyri në radhët e saj, sipas presidentit Thaçi, e ka përmbushur një mision dhe aspiratë shumë shekullore të gjeneratave dhe brezave që pareshtur aspironin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Këta dëshmorë e heronj e mbytën frikën, shpirtin e robit, me armë në dorë, uniformë dhe emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan guximin dhe gatishmërinë për t’iu kundërvënë policisë dhe ushtrisë serbe. Dashuria dhe patriotizmi arritën shkallën më supreme të organizimit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj UÇK-ja nga strategët dhe teoricienët e luftës konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet në botë. Ajo doli nga populli. Në të veproi pjesa më e gatshme e kombit për t’u sakrifikuar për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës. Ishte ushtri e vullnetit dhe gatishmërisë për flijim. Ishte UÇK-ja ajo që e ngriti në pikën më të lartë të ndërkombëtarizimit çështjen e pazgjidhur të Kosovës. UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit shtoi se të rinj dhe të reja, studentë, punëtorë, fermerë, burra dhe gra nga të gjitha trojet kombëtare, me uniformën e UÇK-së, ranë në fushën e nderit.

Në krye të atdhetarëve idealistë, ai tha se kanë qenë edhe tre komandantët e shquar të tri brigadave, Abedin Rexha i brigadës 112, Mujë Krasniqi i brigadës 113 dhe Ilaz Kodra, i brigadës 114.

Duke u bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi i ka nderuar më urdhrin më të lartë “Hero i Kosovës” të gjithë dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë të Skenderajt.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e…