Presidenti ukrainas: Pa ndihmën amerikane, do ta humbasim luftën
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se Kievi do të humbasë luftën kundër Rusisë nëse Kongresi amerikan nuk miraton ndihmën ushtarake për të luftuar pushtimin e Moskës.
Republikanët në Kongres kanë bllokuar prej muajsh dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Kievin.
“Është e nevojshme t’i thuhet në mënyrë specifike Kongresit se nëse Kongresi nuk e ndihmon Ukrainën, Ukraina do ta humbasë luftën”, tha Zelensky gjatë një video-takimi të platformës United24 për mbledhjen e fondeve të organizuar nga Kievi.
Zelensky tha se do të ishte “e vështirë” për Ukrainën të “qëndronte” pa ndihmën.
Ai tha se “nëse Ukraina humbet luftën, shtetet e tjera do të sulmohen”.
Pushtimi rus i Ukrainës është zvarritur për më shumë se dy vjet.
Kievi tha të dielën se një sulm rus në qytetin Gulyaipole në rajonin jugor të Zaporizhzhia vrau tre persona.
“Dy burra dhe një grua vdiqën nën rrënojat e shtëpisë së tyre private, e cila u godit nga një predhë ruse”, tha kreu i rajonit, Ivan Fedorov, në rrjetet sociale.