Presidentin e Francës po e mundon Covidi, ka disa simptoma serioze
Presidenti i Francës, Emanuel Makron, i cili ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, është duke përjetuar kollë, temperaturë të lartë dhe lodhje të madhem bëri të ditur zëdhënësi i zyrës së tij, Gabriel Attal.
Pranë presidentit francez është duke qëndruar kryemjeku i Pallatit Elysee, Jean-Christophe Perrochon, i cili të enjten në mëngjes ia bëri testin për koronavirus Makronit, shkruan “The Guardian”.
Një burim i ka thënë agjencisë “AFP” se mendohet që Makroni është infektuar gjatë kohës kur po merrte pjesë në një samit të BE-së në Bruksel javën e kaluar, ku qëndroi 20 orë me liderët evropianë.
Presidenti 42 vjeç ka filluar të përjetonte simptoma të koronavirusit të mërkurën në mbrëmje. Ai do të qëndrojë për shtatë ditë në izolim, por ka thënë se do ta vazhdojë punën nga distanca.
Raportohet se bashkëshortja e tij 67-vjeçare, Brigitte, ka dalë negative në testin për koronavirus dhe është izoluar në një vend tjetër në Paris.
Për shkak të kontakteve me Makronin, vendim për vetizolim kanë marrë edhe Kryeministri i Francës, Jean Castex, si dhe udhëheqësit e katër vendeve të BE-së – Belgjikës, Portugalisë, Spanjës dhe Luksemburgut.