Presidentin Trump e presin kohë të vështira
Oliver Sallet
Lufta kundër të keqes së presupozuar ka një histori të gjatë. Në mesjetë shtrigat u përndoqën nga njerëzit që besonin tek bestytnitë, dhe si viktimë në përndjekjen e shtrigave e sheh veten Donald Trump, kur bëhet fjalë për raportin e hetuesit special, Robert Mueller.
Tani raporti është bërë publik dhe Donald Trump hiqet sikur të ketë dalë fitimtar. Por beteja sapo ka filluar. Dhe ndërkohë që demokratët dhe republikanët luftojnë për të nxjerrë të vërtetën, publiku mund të qetësohet. Atyre nuk u duhet të lexojnë raportin 400 faqesh, sepse kanë kohë që dinë shumë për presidentin.
Jo shfajësim për presidentin amerikan
Sigurisht, që shumë vetë duan të dinë tani: Çfarë kuptimi ka kur hetuesi special Mueller thotë se nuk ka arritur në rezultat bindës për pyetjen nëse Donald Trump e ka penguar drejtësinë? Sepse në fund të raportit ai pranon se Trump ka punuar disa herë kundërt hetimeve.
Trump është sjellë në mënyrë dyshuese që në fillim të presidencës së tij. Kur drejtori i FBI-së, James Comey kërkoi të bëheshin hetime për Rusinë, Trump e shkarkoi nga detyra. Kur ministrin e Drejtësisë, Jeff Sessions filloi ta vriste ndërgjegjja, Trump e detyroi të jepte dorëheqjen.
Asnjë i pafajshëm nuk sillet kështu. Sjellja e Trump të kujton më shumë dikë që kërkon të fshehë diçka.
Posti i presidentit është dëmtuar si kurrë më parë
Si president, Donald Trump i ka qëndruar besnik vetes gjatë gjithë kohës. Truket e përdorura në kohën kur ka qenë manjat pasurish të patundshme ai i solli me vete në Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu si sjelljen rigoroze me ata që nuk e hedhin vallen sipas muzikës së tij. Kush nuk bindet del nga loja, kush nuk futet në rresht shkarkohet.
Edhe trajtimi i të vërtetës ka qenë vazhdimisht problem për Trumpin. Gënjeshtrat e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë për kontaktet me Rusinë, i përvetësoi thjesht edhe Trumpi. Edhe kjo ka qenë e qartë që para publikimit të raportit. Gjatë hetimeve janë mësuar shumë gjëra edhe për rrethin më të ngushtë të Donald Trumpit. Disa prej besnikëve më të ngushtë të tij mund të quhen ndërkohë kriminelë të dënuar.
Gjatë fushatës zgjedhore dolën disa video nga e kaluara e tij, që tregonin për mënyrën si sillet ai me gratë. Më vonë u bë e ditur se ai i kishte paguar para për të mbyllur gojën starit të filmave pornografikë, Stormy Daniels, për ta mbajtur aferën të fshehtë. Akuza për financim ilegal të fushatës elektorale është duke u trajtuar edhe pas raportit të Muellerit. Çfarë do i veshi raporti i Muellerit edhe më shumë presidentit.
Dëme për demokracinë dhe postin
Për gjithë të tjerët imazhi i presidentit ka qenë i qartë edhe para publikimit të raportit. Donald Trump, një president që shoqërohet me kriminelë dhe që e kthen të vërtetën mbrapsht, si t’ i vijë për mbarë. Zgjedhjet ai i fitoi me ndihmën ruse. Dëmet për demokracinë dhe postin janë shumë të mëdha.
Fushata e ardhshme zgjedhore dhe thirrja që pritet t’ i bëhet nga Kongresi hetuesit Mueller, do e ashpërsojnë edhe më shumë situatën dhe e vetmja gjë që do të sjellë: ashpërsim i fronteve në të dy kampet.
Përndjekja e shtrigave do të vazhdojë: Me ose pa raportin ne Muellerit.