Presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit u zbritën koeficientet në Projektligjin për pagat
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Rasim Selmanaj, ka bërë me dije se Projektligji për paga është një hap i madh drejt nivelizimit të pagave dhe uljes së pabarazisë në sektorin publik.
Selmanaj ka bërë me dije se është ulur koeficienti nga 12 në 10.
Ai ka treguar se presidenti i shtetit ka pasur koeficientin 12, tani ky koeficient është zbritur në 10.
Njëjtë është vepruar edhe me kryeparlamentarin dhe kryeministrin.
“Ne e kemi zvogëluar tavanin i cili ka qenë koeficienti 12. Tani koeficienti më i madh është 10. Presidenti i shtetit ka pasur koeficientin 12, ia kemi zbritur në 10. Njëjtë kemi vepruar edhe me kryeparlamentarin dhe kryeministrin, të cilët tani e kanë koeficientin 9. Pastaj kemi shkuar duke ulur koeficientet e individëve të cilët kanë përgjegjësi më të larta në shtet. Për shembull, deputetët e kanë pasur 8.5 koeficientin, e kemi 8 e kështu me radhë. Ndërsa kemi ngritje të koeficienteve në shëndetësi, arsim, polici, prokurori dhe gjykata. Ndoshta jo në masën që e meritojnë por, megjithatë, ka ndryshime dhe lëvizje pozitive në këta sektorë”, ka thënë Selmanaj për gazetën “Epoka e re”.