Presidentja e KE-së shkon në Kiev për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po zhvillon vizitë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për të diskutuar mbështetjen e Evropës, përgatitjet për dimër, mbrojtjen dhe përparimin sa iu përket kredive të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7).
“Vizita ime e tetë në Kiev vjen në kohën kur nis sezoni i ngrohjes, dhe Rusia vazhdon të shënjestrojë infrastrukturën e energjisë” të Ukrainës, shkroi në X von der Leyen.
Një ditë më herët, ajo tha se 160 milionë euro nga asetet e ngrira ruse do të alokohen për të përmbushur kërkesat urgjente humanitare të Ukrainës gjatë këtij dimri.
Rusia ka shkatërruar rreth 9 gigavatë të infrastrukturës së energjisë të Ukrainës, që von der Leyen tha se janë “fuqi e barasvlershme e tri shteteve baltike”.
Presidentja e KE-së tha po ashtu se BE-ja synon të rivendosë kapacitete gjeneruese të energjisë prej 2.5 gigavatësh, gjë që sipas saj, do të rriste edhe eksportet për të furnizuar Ukrainën me 2 gigavatë energji elektrike.
Gjatë vizitës në Ukrainë, udhëheqësja evropiane do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me zyrtarë të tjerë.
Vizita e saj e tetë në Ukrainë po zhvillohet teksa forcat ukrainase që nga gushti po kryejnë një ofensivë në rajonin rus të Kurskut, dhe forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës./rel