PRESIDENTJA E RADOIÇIQIT!
Behxhet Sh. SHALA- BAJGORA
Rrena i ka këmbët e gjata, një mandat të plotë: Kosova po përballet me probleme të natyrës së mbijetesës, qytetarët me shumë probleme ekonomike, Kosova me shumë probleme politike dhe statutore. Pas zgjedhjeve të shkurtit 2021 sikur u rritën shpresat për një të ardhme më të mirë, kështu premtonte Mesia i 50 përqindëshit, KM Albin Kurti. Euforia kaloi në delirij të fitores dhe, me kalimin e kohës kur u zhvesh kallaji nga flakërimi i arit, ky delirij kaloi në histeri ndaj të gjithë atyre që guxonin ta kundërshtonin Mesian karizmatik të koalicionit multietnik që udhëhiqej nga LV-ja. Urrejtja, me përmasa të një patologjie ishte kundër heronjve të luftës dhe të paqes që u dërguan në Hagë, ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së, ish të burgosurve politikë dhe kritikuesve të regjimit të Kurtit. Pasi partitë opozitare ishin në gjendje të shokut postraumatik, shkaku i rezultateve të zgjedhjeve, pozita dhunuese përdori brutalitet të paparë që ta groposë përfundimisht duke i quajtur shkatërrues të shtetit ndonëse këta pikërisht ishin ndërtues të shtetit. Me kalimin e kohës u pa se pozita nuk ishte në gjendje as ta mirëmbajë atë që e kishte trashëguar prej “shkatërruesve të shtetit” e lërë më të përmbush premtimet gjatë fushatës që dolën të jenë mashtrim ordiner në luftë për pushtet. Pozita është në fund të mandatit të plotë qeverisës pa bërë asnjë ndryshim që do ta përmirësonte cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës. Çmimi i rrymës është dyfishuar sikur që janë rritur çmimet e artikujve të domosdoshëm për shportën familjare duke i bërë të papërballueshëm për shumë qytetarë. Pensionistët u sollën buzë vdekjes klinike, në fund të mandatit u rritën 20 për qind ndërkaq që nuk pati fare indeksim apo përputhje me rritjen e çmimeve. Realisht , me këtë rritje, vlera e pensionit është vetëm 80 për qind e vlerës reale. Shifrat për zhvillim ekomomik, punësim dhe investime nga jashtë janë improvizim ordiner që kundërshtohen tërësisht nga raportet ndërkombëtare sikur edhe nga enti statistikor i Kosovës. Ministri i Finance është një mashtrues të cilit nuk i gjendet shoqi, është mashtrues që as gjenetika më e përparuar nuk mund ta klonojë. Korrupsioni, që u përdorë si armë nukleare kundër “shkatërruesve të shtetit”, gjatë këtij mandati qeverisës u bë dukuri endemike, nuk mbeti ministri a tjetër institucion pa u përfshirë, kokë e këmbë. Prej investimeve kapitale, po të mos ishte Ura e Saradranit, si vepër madhështore, qeveria do të mbetej e cullakosur nga argumentet. Asnjë qeveri deri më tani nuk e ka shkelur aq brutalisht pavarësinë e gjyqësorit dhe institucioneve tjera të pavarura sa qeveria Kurti 2. Asnjë qeveri deri më tani nuk i ka përndjekur ushtarët e UÇK-së dhe të burgosurit politikë sa kjo qeveri. Asnjë qeveri deri më tani nuk i ka sistemuar dhe rehatuar ish-udbashët dhe shërbëtorët e regjimit jugosllav dhe serb sa qeveria aktuale. Të gjitha qeveritë e pasluftës, së bashku nuk kanë punësuar anëtarë të partisë dhe familjarë sa qeveria Kurti 2. Specialitet efikas për korrupsion janë treguar tenderët njëburimorë, deri kur një SPAK i Kosovës të merret me to. Qeveria Kurti 2 i ka duart e lira të bëjë atë që e bënë sepse e ka të qartë se prioritet i ndërkombëtarëve nuk është lufta kundër korrupsionit por arritja e një marrëveshjeje me Serbinë. Pastaj do ta zbatojnë praktikën e Shqipërisë kundër korrupsionit. Prandaj edhe tolerojnë që analfabetët e MD të ndërhyjnë në punët e gjykatave dhe të Prokurorisë, i durojnë tenderët njëburimor, punësimet partiake dhe nepotizmin.
Në planin ndërkombëtar, Kosova është nën sanksione, Serbia po faktorizohet shumë, nuk kemi asnjë njohje të vetme, dështuam të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës, në Interpol sikur edhe në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Dështim pas dështimi. Krijuam marrëdhënie armiqësore me Shqipërinë, e arritëm një marrëveshje kriminale me Danimarkën, pranuam shkatërrimin e shtetit përmes Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, u manipuluam fëmijërisht, së pari nga Merkel e pastaj nga Sholc të cilët e ngritën Serbinë dhe Vuçiqin sikur Feniksin. Albin Kurti u vë në izolim ndërkombëtar, vetëm kur bënte lëshim ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve e që përputheshin me ato të Serbisë, përkohësisht zbutej, nuk hiqej, izolimi. Kam i bindur se Kurti do ta përmbushë çdo kërkesë të ndërkombëtarëve, për të mbetur në pushtet, vetëm po blenë kohë që si një striptizetë politike të mos lakuriqohet menjëherë por t’i heq rrobat e në veçanti mbathjet, një nga një. Atë që u deklarua pas takimit me O’Brajen ishin të kundërta me atë që u bisedua brenda dhe gjatë takimit. Së shpejti e shohim përmes Besnik rrencit. Para zgjedhjeve Kurti luan me karta të forta të folklorit patriotik, me veriun e Kosovës, kërkesën për ekstradim të Radoiçiqit, anëtarësim në KiE, NATO dhe Aleancën e Gjylekarit. Lëshimet më të mëdha Kurti do t’i bëjë në veri të Kosovës, pa asnjë dyshim. Pa këtë lëshim nuk ka Këshill të Evropës. Për anëtarësim në NATO u deklarua z. shefi i saj kur tha se nuk është as në diskutim kjo çështje. Tash, ka anëtarë të shoqërisë civile që për një projekt e bëjnë Asociacionin ashtu si e do Serbia. Ka politikan që kërkojnë garanci nga NATO dhe BE për ta dërguar Asociacionin në Kushtetuese. Ose janë të papjekur, ose karrieristë të krimbur. Edhe Ukraina kishte garanci nga ndërkombëtarët se do të mbrohej nga ata nëse i dorëzon resurset nukleare. I dorëzoi dhe sot është shndërruar në shkretëtirë të pajtueshme. Po të mos ishte mbrojtja e pakursyer e Vojsa Osmanit, Albin Kurtit, Besnik Bislimit dhe Donika Shvarc, Ukraina do të shlyhej nga harta botërore. Sanksionet e rrepta që ua vendosi Besnik Bislimi e pruri buzë falimentimin Rusinë. Megallomanë të pagdhendur, mashtrues brutal.
Përgjimet dhe bisedat: LV-ja dhe Vojsa Osmani nuk kanë lëshuar rast pa përmendur bashkëpunimin (vartësinë) e regjimit të vjetër me Listën Serbe dhe Radoiçiqin. Tash, pas bërjes publike të bisedave të Mimoza Kusarit me Simiqin dhe Radoiçiqin, deklarimeve të Gjet Pacollit, Adem Hoxhës dhe Gashit (deputetë mercenarë të Radoiçiqit në Kuvendin e Kosovës), po del sikur pozita aktuale apo regjimi i ri i Kurtit, jetësisht janë lidhur në raport vartësie të LS-së dhe Radoiçiqit. Sidomos gjatë votimit të Vojsa Odmanit për presidente. Të gjithë që e kanë përcjell votimin në Kuvend, unë isha aty tërë kohën, jemi dëshmitarë se dështuan dy votimet e para dhe rezultati ndryshoi pasi erdhën në Kuvend musketirët e Radoiçiqit, Hodza dhe Gaši. Ata e bënë Vojsën presidente, ishin vota përcaktuese. Nuk ka të keqe e as kundërligjore pse votuan por e keqja ishte se ishin vota klienteliste, të korruptuara e që u mohuan nga porositësit e këtij krimi votues, Mimoza Kusarit dhe padre padrinos, Albin Kurtit. Këtu nuk ka asgjë të paqartë, nuk ka pse të sulmohet as Pacolli e as publikuesit e përgjimeve. Përgjegjësia është e porositësve. Unë nuk shoh këtu përgjegjësi penale nëse nuk ka diçka që nuk dihet deri sot. Ndërkaq, në asnjë rrethanë nuk i nënshtrohen përgjegjësisë njerëzore, kombëtare, politike dhe morale. Nuk kanë asgjë të përbashkët me këto përgjegjësi, lakmia për pushtet i ka kastruar nga to!
Opozita po luan me karta blofi: Opozita gabon rëndë nëse fushatën e mbështetë duke u marrë me Mimoza Kusarin dhe Dejona Mihalin. Me Grupin e Tredhur të Anarkistëve të Tiranës që abuzojnë me buxhetin e Kosovës, marrin lekë për të punuar kundër Kosovës dhe Shqipërisë. Opozita duhet të merret me dështimet kapitale të pushtetit në shëndetësi, arsim, ekonomi, drejtësi, diplomaci, investime kapitale, nepotizëm, korrupsion, dhunim social të shtresave të margjinalizuara etj. Nëse opozita mbështetet vetëm te “miqtë ndërkombëtarë” dhe izolimin e Kurtit, e pati puna e tyre, ikën për lesh. Kuvendi i ardhshëm do të jetë i baraspeshuar me vota ndërmjet LV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-NISMA dhe Listës për Familje. Koalicionet do të jenë të pashmangshme dhe të nevojshme.
Të gjithë deklarohen kundër koalicionit me LV-në. Mos iu besoni! Më së shumti ka nevojë për koalicion LV-ja, për të mbetur në pushtet dhe për të shpëtuar nga ndjekjet penale për korrupsion astronomik dhe gjithëpërfshirës. Për të amortizuar përgjimet dhe poshtërsitë që i kanë bërë sidomos me pengjet e Hagës. Albin Kurti, kryeministër, nuk e besoj. Albin Kurti – Vojsë Osmani, president, e mundshme, besoj. Faton Peci bëhet xherrah. Përparim Gruda, ministër i Drejtësisë, nuk është e pamundur. Nëse partitë opozitare e bëjnë shumicën, LV-ja do të margjinalizohet, deri në shpërbërje. Dikush në Dyz, dikush në Dubravë, dikush në Gjermani e në Angli, Shvajcari dhe Itali, Besnik Bislimi në Serbi (Luginë të Preshevës), bijat në opçinë (diasporë), dikush në Milloshevë e dikush në Malishevë…
Deri atëherë gjërat edhe mund të ndryshojnë. E shohim, këtu jemi. Përfundimisht, Albin Kurtit i ka dalë situata nga kontrolli, është peng i ministrave dhe ministreshave të korruptuar, peng i premtimeve që nuk ka mundësi t’i realizojë. Është peng i Albin Kurtit apo egos tjetër sikur dr. Xhekilli. Peng i ndjenjës së madhështisë!