Presidentja gabon keq nëse i shtynë zgjedhjet

11 shtator 2021 | 21:40

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar si të gabueshëm idenë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. 17 tetori është përcaktuar më herët si data e zgjedhjeve komunale nga presidentja Vjosa Osmani, datë kjo e cila mund të ndryshojë falë vullnetit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mustafa në një prononcim për Gazetën Express e ka cilësuar edhe si “reagim banditesk” atë të shefit të kabinetit të presidentes, Blerim Velës, karshi medieve. Vela përgjatë ditës i ka akuzuar mediet për dezinformim.

“Sot kishte një reagim banditesk nga zyra e Presidentes ndaj mediave lidhur me këtë temë. Edhe kjo dëshmonte se ajo zyrë nuk është në funksion të unitetit por në shërbim të etiketimeve në vijën e politikave militante”, ka thënë ish-shefi i LDK-së në prononcim.

Ai i ka cilësuar zgjedhjet si aktin më të lartë demokratik të një vendi, derisa ka vlerësuar se ka forma të tjera për t’u ruajtur shëndeti i qytetarëve.

“Presidentja ka të drejtë të trajtojë vlerësimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së, por gabon keq nëse i shtynë zgjedhjet. Zgjedhjet janë atributi kryesor i demokracisë, i shprehjes së besimit të popullit se kush duhet t’i qeverisë. Ka mënyra që zgjedhjet të mbahen dhe të ruhet shëndeti i qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Valon Syla përmes një shkrimi në llogarinë e tij…