Presidentja hungareze viziton Kosovën, mbyllen përkohësisht disa segmente rrugore

13 shtator 2022 | 08:35

Me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, sot për vizitë zyrtare në Kosovë do të qëndrojë presidentja e Hungarisë, Katalin Novak.

Ajo do të pritet në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në orën 09:00.

Ceremonia e pritjes nga presidentja Osmani do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku do të pritet me gardën ceremoniale.

Pas takimit, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për medie.

Policia e Kosovës gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete.

Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat ukrainase kanë kapur edhe më shumë territor nga Rusia,…