Presidentja Osmani: Armatimi i FSK-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por prapa armëve nevojiten ushtarakë të motivuar
E përderisa ushtria jonë çdo ditë po furnizohet me armatim modern dhe po forcon kapacitetet për mbrojtje të vendit nga çdo rrezik, nuk duhet të harrojmë se kapaciteti dhe pasuria më e madhe që ka Kosova, e rrjedhimisht edhe ushtria jonë, janë pikërisht njerëzit brenda saj. Prandaj, mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarakëve tanë, motivimi i tyre e mbështetja e avancimit të tyre profesional duhet të poashtu të shndërrohen në prioritet, sepse jo rastësisht në ushtri asnjëherë nuk flitet vetëm për rekrutim, por flitet për “rekrutim dhe mbajtje – ose që ndërkombëtarisht njihet si ‘recruitment and retainment’”, në mënyrë që një ushtri t`i arrijë kapacitetet e plota operacionale.
Prandaj kam mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve tanë t’u mbulohen shtesat e rrezikshmërisë, shtesat për punë pas orari, mëditjet për trajnime që zgjasin mbi një muaj si dhe programet e tjera mbështetëse të cilat do të siguronin që njerëzit më të mirë e më të kualifikuar të vazhdojnë avansimin brenda FSK-së. Armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por ai ka kuptim vetëm kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar e i mbështetur. Në këtë frymë, angazhimi ynë i çdoditshëm duhet të jetë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi që është thellësisht në interes të shtetit tonë.