Presidentja Osmani: Asnjë fitore nuk është sikur kjo para publikut kosovar
Një e artë dhe tri të bronzta ishte bilanci i medaljeve që ekipi kosovar në xhudo fitoi në Kampionatin e Hapur Evropian që u mbajt sot në Prishtinë.
Akil Gjakova ishte kryefjala e këtij kampionati, duke e fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Përveç tij, medalje të bronzta fituan edhe Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Dardan Cena.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë një reagim pas këtij suksesi.
“Kosova, shtet i xhudos. Në Kampionantin e Hapur Evropian të mbajtur në Prishtinë, Akil Gjakova shkëlqeu duke marrë të artën e Distria Krasniqi, Dardan Cena e Nora Gjakova me medalje të bronztë. Asnjë fitore nuk është sikurse kjo para publikut kosovar. Prandaj për këtë ju falënderojmë përjetësisht: Majlinda, Driton e Agron Kuka”, shkroi Osmani në Facebook.