Presidentja Osmani deklarohet për rastin e ambasadorit Berishaj

22 prill 2022 | 12:44

Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani, në konferencën për media me homologun nga Letonia, Egils Levits, ka folur edhe për rastin e ambasadorit të shtetit tonë në Zagreb, Martin Berishaj, për të cilin është përfolur për një skandal financiar në Slloveni – sipas një televizioni slloven.

Osmani ka thënë se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj pa u vërtetuar nga organet e drejtësisë.

“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje, por konstatim – është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës, por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes, pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Më tutje Osmani ka thënë se për demokracinë përveç tankeve janë të rrezikshme edhe dezinformatat duke e cituar presidentin amerikan Joe Biden.

“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden se rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuzat e tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi Dani Alves ka thënë se Real Madridi është me…