Presidentja Osmani dhe ambasadori norvegjez bisedojnë për thellimin e bashkëpunimit
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të premten në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, i cili e ka uruar për detyrën dhe ka konfirmuar përkushtimin e Norvegjisë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejme.
Grondahli ka shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në projekte të reja në dobi të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Ndërsa Osmani e ka falënderuar ambasadorin e Norvegjisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen të cilën shteti norvegjez ka ofruar për Kosovën ndër vite.
E para e shtetit ka potencuar se prioritet kyç mbetet menaxhimi me pandeminë Covid-19, duke theksuar rëndësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës për të gjithë qytetarët e vendit.
Osmani dhe Grondahli kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e energjisë dhe turizmit.