Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla takuan sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg

22 shtator 2021 | 10:34

Sot, presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla takuan sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.

Gjatë takimit me të, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.

Forca e Sigurisë e Kosovës, tha presidentja Osmani, është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale” tha presidentja Osmani.

Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoj se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut.

“Kosova, vazhdoi ajo, është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"FF DISTRIBUTION" SH.P.K, shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me…