Presidentja Osmani: Ekipi i xhudos e ka lartësuar flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot politika as diplomacia

06 prill 2021 | 15:27

Vjosa Osmani sot zyrtarisht ka marrë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës, pasi u zgjodh në këtë pozitë të dielën.

Të ftuarit e parë të saj në presidencë ishin ekipi i xhudos i përbërë nga kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, trajneri Driton Kuka si dhe xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka.

Osmani ka thënë se këta ishin të ftuarit e parë në Presidencë sepse ishin ato e ata që e lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia.

“Të ftuarit e mi të parë në Presidencë ishin ato e ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia. Ka disa vjet që xhudistet e xhudistët e Kosovës janë bërë ambasadorët tanë më të mirë. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe shumë të tjerë jo vetëm që kanë korrur suksese historike në këtë disiplinë sportive, por kanë ngritur flamurin dhe nderuar himnin e Kosovës edhe në vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovë.  Këta janë pjesa më pozitive e rrëfimit për Kosovën kudo në botë. Këta janë krenaria e kombit tonë. Me rezultatet e tyre e kanë vendosur Kosovën në hartën e botës ndaj u jemi mirënjohës secilit nga ta! Shpirti garues i xhudisteve e xhudistëve tanë mban mbi supe shpresën e rinisë sonë se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet”, ka shkruar Osmani në profilin e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Utah Jazz nuk ka arritur të ruajë serinë prej nëntë…